Përgjimet, krerët e Policisë: Kemi vepruar sipas ligjit
Komisioni Hetimor Parlamentar për pajisjen IMSI Catcher, vijoi këtë të martë, me pyetjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Ardian Çipa.
Po ashtu u pyet edhe Drejtori Forcës së Posaçme dhe Operacionale, Artion Duka, si dhe shefi i sektorit të Teknologjisë dhe Trajnimeve, Eduart Goga.
Të gjithë dëshmitarët përsëritën se në lidhje me pajisjen IMSI Catcher, prokuroria kishte hapur një hetim.
Drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar, Ardian Çipa, iu përgjigj kreut të komisionit, Flamur Noka, se Policia e Shtetit gjatë punës së saj përdor pajisje të ndryshme dhe mjete të cilat janë sekret, ndërsa gjithë veprimtaria e Policisë është kryer sipas ligjeve të vendit.
Eduart Goga, tha se Policia e Shtetit, ka kryer trajnime me një pajisje të tillë përgjuese në bashkëpunim partnerët e huaj që mbështesin e Policinë e Shtetit.
Një fakt i tillë është pranuar edhe më parë nga krerët e Policisë të cilët kanë pohuar se kanë përdorur në bashkëpunim me partnerët e huaj një pajisje të tillë për qëllime trajnuese./ TV KLAN