Përkeqësohet situata në Shkup, vritet një polic dhe një tjetër plagoset (21 Mars 2001)


Përkeqësohet situata në Shkup, vritet një polic dhe një tjetër plagoset (21 Mars 2001)

11:43 21/03/2001

Atentat në qendër të Shkupit. Një polic maqedonas është vrarë dhe një tjetër është plagosur pasi u qëlluan në një kafenë në qytet. Nuk është përcaktuar nëse atentati lidhet me forcat ushtarake maqedonase dhe UÇK-së, por analistët thonë se ky incident mund t’a ngrejë tensionin në Maqedoni. Një burim tjetër policor bëri të ditur se policët ishin qëlluar pas shpine nga dy persona të cilët u larguan menjëherë nga vendngjarja.

Forca të shumta policore rrethuan zonën që ndodhet shumë afër qendrës së qytetit, por zona e atentatit banohet kryesisht nga shqiptarët. Banorët përreth thanë se kishin dëgjuar 4 të shtëna. Një banor lokal tha se njëri prej policëve ishte shqiptar, por për këtë nuk ka asnjë konfirmim. Marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-maqedonase janë acaruar shumë.

Kështu një grup maqedonasish të zemëruar kanë ngritur flamurin kombëtar maqedonas në qendër të Tetovës që është dhe zemra e konfliktit mes shqipëtarëve dhe maqedonasve. Ata e vunë flamurin mbi një automjet ushtarak. Ndërsa në Shkup me qindra shqiptarë mbajtën radha të gjata për pasaporta me shpresë për t’u larguar nga vendi./tvklan.al






Të ngjashme