Përleshje në kampin e refugjatëve në ishullin e Samos
Një përleshje mes refugjatëve, në kampin e ngritur në ishullin e Samos në Greqi, çoi në arrestimin e 25 prej tyre, si dhe plagosjen e të paktën 6 personave. Përplasja ndodhi mes emigrantëve afganë, sirianë e pakistanezë.
Në këtë kamp, aktualisht ndodhen 1 mijë persona, përfshirë familje me fëmijë të vegjël.
Për gazetën “Kathimerini”, policia helene tha se përleshjet ndodhën për shkak të rivalitetit mes grupeve etnike.
Dy barakave iu vendos zjarri, duke shkaktuar ndërhyrjen e policisë dhe forcave Zjarrëfikëse.
Të plagosurit mësohet se u dërguan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Situata në këtë kamp vjen vetëm një ditë pasi një përplasje e ngjashme mes emigrantëve ndodhi në ishullin e Lesvos, në veri të Samos, që përfundoi me 3 të shtruar në spital, 70 të lënduar dhe 300 të tjerë pa strehë, për shkak së tendave iu vu zjarri.
Aktualisht, Greqia është shtëpi për rreth 50 mijë emigrantë, pas mbylljes së kufijve nga vendet e Ballkanit, për të parandaluar fluksin e emigrantëve./tvklan.al