Përmasat e përmbytjes, Tv Klan udhëton në Dajç
Pas këtyre pamjeve çdokush mund ta kuptojë më lehtë se cilat jane përmasat reale të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Televizioni Klan rrugëtoi drejt Komunës Dajç, duke sjellë pamje që nuk kane nevojë për koment.
Rruga drejt zonave të përmbytura nuk ka qenë e lehtë as per kamionët e ushtrisë. Furia e ujërave të Fierzës përmbyti dy prej tyre në rrugën drejt Komunës Dajç.
Në një gjatësi prej 2 kilometrash, ky aks u bë i pakalueshëm në mesditë, kur niveli i ujit kaloi më shumë se 1 metër.
Pleq, gra e fëmijë u transportuan nga policia drejt zonave më të sigurta, ndërsa një autobus me banorë të Komunës Dajç arriti të kalojë rrugën pas disa orësh.
Në gatishmëri për operacionin e evakuimit, autokolona prej 60 kamionësh e Forcave të Armatosura u stacionua pranë hyrjes së fshatit Dajç. Bashkë me të shpërngulurit nga zonat e përmbutura u largua edhe gjëja e gjallë.
Vërshimi i ujërave ktheu në lumenj të rrëmbyeshëm, rrjedhat e shumta që depërtuan në brendësi të fshatrave dhe zonave të banuara.
Në këtë zonë mënyra e vetme për të ardhur në ndihmë të banorëve ishte lundrimi me motobarkat e ushtrisë. Kjo ishte situataderi në orët e vona të mbrëmjës në Komunën Dajç, e cila shënon edhe zonën më të prekur nga permbytjet.
Tv Klan