Përmbledhja e hetimit për Frederik Durdën dhe Arben Bërballën (8 Mars 2001)
Zëvendësprokurori italian i antimafias Mandoi ka folur vetëm 5 minuta dje nnë burgun 313 me Frederik Durdën. Biseda midis tyre ka qenë tërësisht private dhe asgjë rreth bisedës së tyre nuk është dokumentuar. Pasi është ndarë me Durdën, Mandoi u ka thënë avokatëve mbrojtës Ardian Leka dhe Gazmend Zeneli se nuk është e nevojshme të flasë me Arben Bërballën, të arrestuarin tjetër dhe pas kësaj është nisur për në Itali.
Grupi i hetuesve që pyetën të arrestuarin e drogës, i kryesuar nga vetë Mandoi, përbëhej dhe nga një hetues tjetër italian si dhe Pertef Hamzai, Kryeprokuror për drogën dhe kontrabandën në Prokurorinë e Përgjithshme, Thoma Jano Kryeprokuror i Tiranës, Kosta Beluli zëdhënës i tij dhe Ardian Visha zëdhënësi i Rakipit.
Seanca e pyetjeve ka nisur pardje kur u pyetën Alfred Nane dhe Vehbi Hysi në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Për këtë seancë pyetjesh avokatët mbrojtës protestuan pasi ishte shkelur procedura. Mandoi kishte me vete një letër porosie nga Prokuroria Italiane që autorizonte atë për t’i marrë në pyetje shqiptarët VIP të kartelit të drogës, por kjo letër porosi duhej legjimituar nga Gjykata e Tiranës pas së cilës drejtohej në Ministrinë e Drejtësisë, pastaj në atë të jashtmen dhe kjo e fundit vendoste përfundimisht miratimin e letërporosisë së Mandoit.
Por, kjo procedurë nuk u realizua. Megjithatë, kjo ndodhi me dy të parët, Hysin dhe Nanin pasi për dy të ndaluarit e tjerë më të rëndësishëm ai e dërgoi letërporosinë e tij në Gjykatën e Tiranës për miratim./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj