Përmbyten 400 ha tokë bujqësore nga reshjet


Përmbyten 400 ha tokë bujqësore nga reshjet

15:44 08/03/2020

Shkumbini në pikën kritike, rrezikon daljen nga shtrati

48 orë shi pa pushim në Lushnje solli përmbytjen e të paktën 400 hektarëve tokë bujqësore. Më të goditura janë zonat e Tërbufit, Sylzotajt dhe Plukut.

Për momentin edhe kanalet kullues dhe ata vaditës janë në nivelin maksimal. Lumi Shkumbin është  në pikën kritike dhe rrezikon daljen e tij nga shtrati. Uji u tërhoq gjatë natës nga banesat në lagjen Savër, por në Pluk disa familje janë ende nën ujë.

Mjetet zjarrfikëse kanë punuar për largimin e ujerave, por prezencë të tij ka ende në tokat bujqësore ndonëse hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë.

Në disa zona ka pasur rrëshqitje dherash duke shkaktuar bllokim të rrugëve.

Problematike ishte gjatë natës situata edhe në qarkun e Elbasanit, por me ndërprerjen e reshjeve mëngjesin e së dielës, gjendja u përmirësua.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se përveç shirave që përfshinë zonat e ulëta, në thellësi nuk kanë munguar reshjet e dëborës. Më të dendura ato akne qenë akset Qafë Mali – Fierzë, Bajram Curri –Valbonë dhe pjesët fundore të akseve Ura e Cerenecit – Steblevë dhe Kuben-Vasije.

ARRSH thotë se qarkullimi vazhdon normalisht, pa zinxhirë, në të gjithë rajonin e veriut. Për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh dhe dherash në disa akse, por pas ndërhyrjes së forcave në terren të kompanive të kontraktuara qarkullimi vijon pa probleme.

Tv Klan






Të ngjashme