Përmbytjet, nis evakuimi i banorëve


Përmbytjet, nis evakuimi i banorëve

20:51 03/01/2010

Ndërprerja e reshjeve dhe ndërhyrja e shtabit të emergjencave dhe forcave të ushtrisë e kanë përmirësuar disi situatën në zonat e përmbytura të Shkodrës e Lezhës. Por prurjet e Drinit vazhdojnë të jenë të larta pas hapjes gjatë natës të portave të shkarkimit të hidrocentraleve të Fierzes, Komanit e Vaut te Dejës. Ndaj dhe mjaft zona janë të kërcënuara në qarkun e Shkodrës. Niveli i ujit, sipas të dhënave zyrtare të prefekturës, ka rënë me 30 centimetra.

Më shqetësuese situata paraqitet në fshatrat Dajç dhe Obot, ku disa banorë kanë refuzuar të lënë shtëpitë e tyre. Por shtabi i i emegjencave në prefekturë, teksa diskutoi mbi gjendjen e jashtëzakonshme, vendosi evakuimin e detyruar dhe që ky proces të vazhdojë derisa të mos ketë më asnjë jetë të rrezikuar.

Megjithatë shtabi i emergjencave ka nisur që prej paradites evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara. Por rënia e natës e ka vështirësuar këtë proces.

Në Obot, evakuimi po kryhet me anë të varkave nga forca të ushtrisë. Vështirësi ka edhe në lagjen Ajasem, ku lumi Kir dhe Drin kanë përmbytur disa shtëpi.

Është vendosur që të gjitha familjet e evakuuara të strehohen në hotele dhe në konviktet e universitetit Luigj Gurakuqi e te shkollave të mesme profesionale.

Por deri më tani asnjë prej familjeve të larguara nga shtëpitë e permbytura nuk është strehuar në këto vende, pasi kanë preferuar të qëndrojnë pranë të afërmve të tyre.

Në Lezhë, situata është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me atë çka u regjistrua të shtunën. Niveli i ujit në Shëngjin dhe Tale ka rënë pas vënies në punë të hidrovorit dhe ndërhyrjes për rindërtimin e argjinaturës, por ka ende shtëpi të përmbytura.

Megjithatë banorët vazhdojnë të jenë të shqetësuar nga frika se përmbytjet mund të rikthehen.

Grupet e emergjencave civile janë në gatishmeri të plotë për çdo ndryshim të prurjeve nga lumenjtë apo hyrjes së detit në zonat e banuara.

Tv Klan






Të ngjashme