Përmbytjet që i morën jetën nënës shqiptare e të bijave, dënohet ish-zyrtarja
Ish-kryebashkiakja e Genoas në Itali është dënuar me 5-vjet burg pasi u shpall fajtore se nuk mori masa për të shmangur 6 viktimat, gjatë përmbytjeve katastrofike të 2011-ës. Mes viktimave ishte edhe një 23-vjeçare shqiptare dhe dy vajzat e saj të mitura.
Nuk mori masa për të garantuar jetën e qytetarëve gjatë përmbytjet. Ky është shkaku që ish-kryetarja e bashkisë së Genoas në Itali, Marta Viçenci duhet të vuajë 5 vite në burg. Vendimi u dha nga Gjykata e Shkallës së Parë në Genoa.
Bëhet fjalë për përmbytjet katastrofike të 4 nëntorit të 2011-ës, që i morën jetën 4 grave dhe dy vajzave të vogla. Në mënyrë tragjike gjatë përmbytjeve të asaj kohe humbi jetën edhe 23-vjeçarja shqiptare Shpresa Djala dhe vajzat e saj Gioia 8 vjeç dhe Janissa, që sapo kishte mbushur vitin e parë të jetës së saj.
Sipas akuzës, ish-kryebashkiakja Vinçenci nuk dha urdhër të mbyllë shkollat dhe institucionet e tjera publike në varësi të bashkisë, pavarësisht se niveli i alarmit nga përmbytjet ishte i kategorisë 2, një prej më të lartëve. Akuza thotë gjithashtu se edhe rrugët përgjatë lumit
Ferexhiano nuk u bllokuan nga bashkia, pavarësisht se gjatë përmbytjeve është e zakonshme që lumi të dalë nga shtrati. Nga hetimet rezulton se autoritetet lokale ishin paralajmëruar për përmbytje të fuqishme në atë datë. Sipas dokumenteve rezulton se emergjencave civile u kishte ardhur paralajmërimi nga meteorologët në orën 11 të drekës, ndërsa përmbytjet nisën në një të drekës. Por asnjë masë nuk u mor brenda kësaj periudhe. Për më tepër, janë zbuluar falsifikime të procesverbaleve në Bashkinë e Genoas.
Flamur Djala, bashkëshorti i viktimës 23-vjeçare shqiptare dhe babai i dy vajzave të mbytura tha se vendimi i gjykatës ishte i drejtë, por megjithatë familja nuk do i rikthehej më. Ndërsa ish-kryetarja e Bashkisë së Genoas Marta Vinçenci e konsideroi absurd burgimin me 5 vjet dhe ka edhe 3 shkallë të tjera gjyqësori për të vërtetuar se ajo ishte e pafajshme./tvklan.al