Përmirësohet gjendja e policit të plagosur në Kavajë – (30 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Pas disa orësh shërbim në reanimacion, duket se polici i plagosur dje në Gosë të Kavajës, e ka kaluar rrezikun e parë për jetën. 40-vjeçari Bujar Peqini i plagosur në këmbën e majtë është dërguar urgjent dje në repartin e kardiokirurgjisë në Tiranë, ku dhe i është nënshtruar një operacioni të gjatë. Sot burime nga spitali bëjnë të ditur se gjendja e tij paraqitet e mirë.
Polici 40-vjeçar mbeti i plagosur dje në krye të detyrës në një rrethim që forcat e komisariatit Rrogozhinë i bënë Bujar Seferit 45-vjeç në banesën e tij. 45-vjeçari Seferi kishte qëlluar me armë zjarri mbi një fëmijë 14-vjeç, i cili po kulloste bagëtitë në arën e Seferajve. Fëmija Kudret Seferi ka vdekur më pas në spitalin e Rrogozhinës, ndërsa vrasësi duke tentuar të arratiset ndërkohë që ishte i rrethuar nga policia ka plagosur njërin nga policët.
Më pas vetë Seferi ka mbetur i plagosur duke u hedhur nga kati i tretë i shtëpisë, për t’u larguar nga rrethimi policor dhe ka vdekur në spitalin e Kavajës pas disa orësh./tvklan.al