Përmirësohet situata energjetike në vend (29 dhjetor 2000)
Orari i stakimeve të energjisë elektrike në vendin tonë është hequr që nga dita e djeshme. Përmirësimi ka ardhur nga reshjet që kanë shtuar prurjet në kaskadën e Drinit. Sot niveli i ujit në Fierzë vazhdon të rritet me 10 centimetra në orë. Prurjet maksimale kanë arritur mbi 500 metra kub në sekond duke thyer kështu mesataren prej 300 metra kubësh të vendosur prej disa vitesh.
Rritja e nivelit të ujit nga shirat ditëve të fundit, sipas specialistëve të KESH është ndjerë edhe në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Kjo situatë e përmirësuar parashikohet të vazhdohet dhe gjatë ditëve në vazhdim. Urdhri i dalë nga KESH për heqjen e stakimeve elektrike ka shërbyer dhe për të gjitha rrethet e vendit. Kuota e shpenzimeve të energjisë në rrethe është dyfishuar.
Problemi i vetëm i këtyre ditëve sipas KESH është mbingarkesa që do të ketë rrjeti për të cilin parashikohen dhe avari. Vetëm në rastin e avarive, dritat do të stakohen./tvklan.al