Përplasja me armë në shëtitore, kapet pas 2 muajsh i shpalluri në kërkim
Diomet Musa, një 30 – vjeçar nga qyteti i Sarandës është vënë në pranga nga policia e këtij qytetit. Ai ishte shpallur në kërkim prej më shumë se dy muajsh, si i përfshirë në një përplasje me armë të ndodhur në fund të Gushtit në Sarandë.
Në një njoftim të sajin, policia sqaron se për Musën gjykata ka dhënë masën arrest me burg për dy vepra, atë të plagosjes së rëndë me dashje dhe prodhimit e mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit.
Një grup personash u përfshinë në një përplasje me armë gjatë orëve të natës së 28 Gushtit, në lagjen numër 1 të Sarandës.
Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur 3 persona, Antonio Shyti, Besim Xhafa dhe Fisnik Musaj.
Nga hetimet u arrit në përfundimin se Antonio Shyti, Besim Xhafa, Renald Canaj dhe A.Q., u përplasën fillimisht fizikisht me Fisnik Musajn dhe të arrestuarin e kësaj të mërkure, Diomet Musën. Konflikti, i cili ndodhi për motive të dobëta, degjeneroi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
/tvklan.al