Përplasja me armë në Shkodër, gjykata lë në burg 6 të arrestuarit
Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për 6 personat e përfshirë në përplasjen me armë tre ditë më parë, në qytetin verior. Të akuzuar për “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” Behar Bajri, Ilir Rustemi (Bajri), Bledar Lekaj, Donald Shtjefni, Kristjan Shtjefni dhe Patrik Salaj, do të qëndrojnë prapa hekurave.
Seancat u zhvilluan në gjykatë dhe në spital, për shkak se disa prej të arrestuarve po marrin mjekim. Të gjithë këta persona u përfshinë në një konflikt të armatosur, në qendër të qytetit të Shkodrës.
Dy persona nga një makinë qëlluan me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të një makine tjetër, tip ‘BMW’ X5, ku ndodheshin Donald Shtjefni, drejtues i mjetit, Kristjan Shtjefni dhe Patrik Salaj. Behar Brajoviq (Bajri), Ilir Rustemi (Bajri) dhe Bledar Lekaj, qëlluan ndaj mjetit tip BMW me kallashnikov. Donald Shtjefni mbeti i plagosur. Pak minuta më pas, në tentativë për t’u larguar, automjeti ku udhëtonin autorët e plagosjes doli nga rruga, duke u aksidentuar në fshatin Golem të Shkodrës.
Tv Klan