Përplasje mes mbështetësve të Trump dhe anti-racistëve
Vijojnë trazirat, shënohet 1 viktimë në Portland
Qyteti i Portland-it ishte këtë fundjavë, epiqendra e trazirave në vazhdim të protestave anti-racizëm të shkaktuara nga vrasja në maj e afro-amerikanit George Floyd.
Një person u vra gjatë përplasjeve të dhunshme mes mbështetësve të presidentit Trump dhe grupeve të protestuesve anti-racistë.
Policia lokale tha se viktima është një i ri i bardhë, i cili sipas mediave amerikane ishte pjesë e grupimeve të ekstremit të djathtë. Ai u qëllua me armë nga persona ende të paidentifikuar, për të cilët policia është vënë në kërkim.
Dhuna nisi pasi një autokolonë prej rreth 600 automjetesh me më shumë se 1 mijë mbështetës të kandidatit republikan Donald Trump hynë në qendër të qytetit për të zhvilluar një tubim elektoral. Ata u gjendën përballë sulmeve të aktivistëve të lëvizjes “Black Lives Matter”, të cilët u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Portland ka qenë një ndër qytetet kryesore të lëvizjeve anti-raciste pas vrasjes së George Floyd, ku protestat kanë sjellë kaos dhe plaçkitje. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Trump i ka etiketuar shpesh herë manifestuesit si grupe plaçkitësish dhe anarkistësh.
Tv Klan