Përplasjet PS-PSD për kryebashkiakun e Vlorës – (4 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Mosmarrëveshjet para elektorale mes socialistëve dhe socialdemokratëve, kanë pasur në themel betejën mes dy partive, për Bashkinë e Tiranës dhe Vlorës, si dhe një numër të konsiderueshëm komunash e bashkishë të vendit. Në Vlorë kandidati i socialistëve për kryebashkiak, Niko Veizi, nëpërmjet Tv Klan ka mohuar sot të gjitha zërat për një tërheqje të tij nga gara për bashkinë e qytetit.
Veizi ka akuzuar qarqe të ndryshme edhe brenda Partisë Socialiste, për të manipuluar opinionin publik, dy ditët e fundit. Veizi tha, se deri më 1 Tetor nuk do të japë dorëheqjen si kryetar i PS të Vlorës, ndërsa për rezultatin ai u shpreh i sigurt në fitore.
Ndërkohë socialdemokratët e Vlorës, kanë përzgjedhur katër kandidatë për kryebashkiak, ku veçohet emri inxhinierit Sami Canaj. Kryesocialdemokrati vlonjat Shpëtim Sulçe tha sot, se socialistët nuk pranuan marrëveshjen paraprake për kandidatë të përbashkët dhe për zona të lira, ndaj PSD po përgatitet për fitore, me kandidatë në katër bashkitë e rrethit të Vlorës./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame