Përse na urrejnë?
CNN – Herën tjetër që do të dëgjoni për një sulm terrorist, nuk ka rëndësi në cilin vend ndodh, pak rëndësi kanë rrethanat, me shumë gjasa do të mendoni me vete:
“Sërish myslimanët”
dhe me shumë mundësi do keni të drejtë.
Kështu shkruan rrjeti prestigjioz amerikan “CNN” në një analizë që përpiqet të hedhë dritë mbi urrejtjen e militantëve të Shtetit Islamik ndaj botës.
Në 2014 – ën, rreth 30 mijë persona humbën jetën për shkak të sulmeve terroriste në të gjithë botën. Pjesa më e madhe e autorëve ishin myslimanë, por ajo çka është më e rëndësishme është se myslimanë ishin edhe viktimat.
Kjo është tepër e rëndësishme për të hedhur dritë mbi pyetjen, “Përse na urrejnë?”. Terroristët islamikë nuk urrejnë vetëm Amerikën apo Perëndimin. Ata urrejnë botën moderne dhe në veçanti myslimanët që po përpiqen të jetojnë në botën moderne.
Teksa xhihadistë janë disa, ekziston një kancer më i madh brenda botës islame, një kancer i mbrapshtë, ekstremist dhe aspak tolerant. Pjesa më e madhe e vendeve që kanë ligje dhe rregulla të rrepta dhe që lirinë e fesë e kanë të kufizuar janë vende myslimane, ashtu sikurse janë po vende myslimane, ato që kanë ligje kundër largimit nga feja.
Por a janë këto gjëra të pandara në fe?
Kur ekspertët përpiqen të shpjegojnë se në shekullin e 14, civilizimi islamik ishte më i avancuari në botë, apo se Kurani dikur lexohej si një dokument liberal dhe progresiv, ata nuk po përpiqen që të mohojnë realitetin e kundërt që ekziston ditët e sotme. Ajo që ata përpiqen të shpjegojnë është se gjërat mund të ndryshojnë.
Islami është pjesë e botës prej 14 shekujsh. Ka patur periudhë lufte dhe paqeje. Përpara 1900 – ës, për qindra vite me radhë, hebrenjtë u arratisën nga Europa për të jetuar në paqe dhe nën sigurinë e Kalifatit Otoman. Kjo është dhe arsyeja për në Lindjen e Mesme të 1900, numëroheshin 1 milionë hebrenj.
Sot, hebrenjtë dhe të krishterët po arratisen nga Iraku dhe Siria dhe radikalët islamikë kanë marrë nën kontroll këto zona. Është e njëjta fe, si atëherë edhe sot. Ndaj pyetja është: Çfarë ka ndryshuar?
Nuk është teologji, është politikë! Islami radikal është produkti i politikës së përçarë dhe ekonomisë stanjative të shteteve myslimane. Ata kanë gjetur në fenë radikale një ideologji që i lejon të ngrihen kundër, një ideologji që po përpiqet të ushqejë të rinjtë myslimanë kudo në Europë dhe në disa raste edhe në Shtetet e Bashkuara.
Si mund ta ndalojmë një gjë të tillë?
Ekziston vetëm një mënyrë: Të ndihmojnë myslimanët që të luftojnë ekstremizmin, të riformojnë besimin e tyre dhe të modernizojnë shoqëritë e tyre. Për bërë këtë, duhet të dëgjojmë ata që janë në front, pjesa më e madhe e të cilëve po luftojnë dhe po vdesin në betejën kundër xhihadizmit.
Shumë myslimanë të reformuar thonë se misioni i tyre bëhet edhe më i vështirë kur politikanët perëndimor dhe analistët dënojnë fenë Islame në tërësi, poshtërojnë besimin e tyre dhe u drejtohen të gjithë myslimanëve me dyshim dhe përçmim.
Në çdo vend të botës, njerëzit duhet të trajtohen individualisht dhe jo si një steriotip nga një grup racial, etnik dhe fetar. Sigurisht në momentin që bota tronditet nga sulme terroriste është e vështirë që të mos i përgjithësosh dhe të mendosh në këtë mënyrë, por nuk duhet harruar kurrë se njerëzit duhen gjykuar individualisht, me të drejta dhe liri individuale.
CNN/tvklan.al