Përse stabiliteti i Turqisë është i rëndësishëm
Turqia është një vend i përçarë, ku mungon lumturia. Nuk është e qartë se çfarë i motivoi ata që organizuan grushtin e shtetit, por përpjekja e tyre vjen në një kohë kur Turqia është thellësisht e ndarë nga projekti i Presidentit Recep Tayyip Erdogan për të transformuar vendin ndërkohë që vuan pasojat e dhunës nga lufta në Siri.
Qeveria turke ka akuzuar klerikun islamik Fethullah Gulen, si përgjegjës të grushtit të shtetit. Në fakt, Erdogan herë pas here fajëson Gulen për ngjarjet në Turqi. Kryeministri Binali Yildirim kërcënoi çdo vend që do t’i dalë në krah Gulen, se nuk do të jetë më mik i Turqisë dhe se do të konsiderohet në luftë me vendin nëse e bën një gjë të tillë. Gulen jeton me statusin e azilantit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte dikur aleat i Erdogan dhe njihej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Turqi, deri kur marrëdhënia e tyre u përça. Një president më i fortë? Turqia është e rëndësishme në Lindjen e Mesme për shkak të pozitës së saj gjeografike, mes Europës dhe Azisë, sepse është një nga anëtaret kryesuese në NATO dhe sepse Presidentit islamik i vendit Erdogan dhe partia e tij AK kanë shfaqur interes të madh në vendet që drejtohen nga qeveri myslimane suni në rajon. Gjatë tentativës për grusht shteti, një prezantuese lajmesh në turke tha se nën kërcënimin e armës, puçistët e kishin detyruar që të lexonte deklaratën e tyre, se qëllimi ishte që të rivendosin demokracinë laike në Turqi. AK, partia në qeveri është kthyer në eksperte sa i përket fitoreve në zgjedhje, por gjithnjë ka patur dyshime mbi përkushimin e Erdogan për demokracinë. Dikur, ai e krahasoi këtë të fundit me një autobus, të cilit i hipën për të mbërritur në destinacion dhe më pas zbret. Presidenti Erdogan është një politikan islamik, i cili e ka refuzuar trashëgiminë laike (jo fetare) të Turqisë moderne. Ai është bërë gjithnjë e më shumë autoritar, duke burgosur gazetarë që shkaktojnë trazira, e të tjerë. Tani që mposhti një tentativë për grusht shteti, ai mund të përpiqet që të vendosë një regjim edhe më të rreptë në vend. Erdogan mbajti postin e Kryeministrit për shumë vite. Tashmë ai po përpiqet që të ndryshojë Kushtetutën për ta kthyer veten në një president të fortë ekzekutiv. Faktor kyç Erdogan dhe qeveria e tij kanë qenë mjaft të përfshirë në luftën në Siri, që prej fillimit të saj në 2011, duke mbështetur kryesisht rebelët islamikë, që luftonin regjimin e Presidentit Bashar al – Assad. Por dhuna është përhapur përtej kufijve, duke i dhënë mundësinë kurdëve të PKK që të fuqizohen dhe duke e kthyer Turqinë në objektiv të xhihadistëve që e quajnë veten Shteti Islamik. Perëndimi e sheh Turqinë si pjesë të zgjidhjes sa i përket situatës në Lindjen e Mesme. Kjo kërkon stabilitet dhe pa të, gjithçka kthehet në një ekuacion tepër të thjeshtë.Trazira në Lindje e Mesme sjellin trazira në Turqi, e barabartë me trazira për të gjithë.
Megjithatë, ka vend për diskutim edhe fakti se vetë Turqia ka shkaktuar telashe në rajonin e saj dhe është e lidhur ngushtë me konfliktet me fqinjët. Qeveria e Recep Tayyip Erdogan ka qenë më e etur për t’u përshirë në Lindjen e Mesme në krahasim me popullin turk. Ai ka qenë një ndër mbështetësit kyç të rebelëve islamikë në luftën kundër Presidentit sirian që prej 2011 – ës. Kohët e fundit qeveria turke ka bërë përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet me Izraelin, por Presidenti Erdogan ka dhe një lidhje natyrale me armikun e këtij vendi, Hamas, me të cilin ndan rrënjë të vllazërisë myslimane. Turqia shihet gjithashtu nga Bashkimi Europian si një pjesë jetësore e skemës për të kontrolluar fluksin e emigrantëve nga Lindja e Mesme. Turqia po përballet me trazira gjithnjë e në rritje dhe tentativa për të hedhur nga pushteti Presidentin Erdogan nuk do të jetë e fundit tronditje që godet vendin./tvklan.al Burimi: BBC