Përsëri përpara gjyqit vrasësi i Alban Danit (8 Shkurt 2001)
Del sërish para trupit gjykues vrasësi i Alban Danit. Sot në orën 09:00 të mëngjesit ka filluar seanca e dytë gjyqësore në ngarkimi të 27-vjeçarit Vladimir Shyti në Gjykatën e Faktit në Durrës. Në këtë seancë janë marrë në ngarkim provat nga pyetjet e dëshmitarëve. Nga 5 dëshmitarë të thirrur në Prokurori u prezantuan vetëm 2. Ata janë Fitnene dhe Besim Bakanaçi, përkatësisht halla e të akuzuarit dhe burri i saj. Të dy banorë të katundit të Sukthit.
Menjëherë pas ngjarjes së datës 14 mars 2000, Vladimiri sëbashku me të atin Fatmirin janë fshehur në shtëpinë e çiftit Bakanaçi ku dhe janë arrestuar në orën 05:00 të mëngjesit duke u gdhirë data 15 mars. Po në shtëpinë e tyre është gjetur e fshehur në tokë pistoleta në të cilën është kryer vrasja. Përsa i përket tre dëshmitarëve të tjerë që nuk u prezantuan, trupi gjykues vendosi që të kërkojë sjelljen e tyre me detyrim në seancën tjetër që u la për datën 22 shkurt. Edhe kjo seancë gjyqësore, ashtu si e para u krye në masa të forta sigurie nga ana e forcave të rendit./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora