Përsëritje të votimeve në Stamboll pas fitores së opozitës
Komisioni Zgjedhor në Turqi ka urdhëruar që zgjedhjet vendore në Stamboll të përsëriten pas fitores së opozitës në muajin Mars. Partia e Presidentit Erdogan pretendoi se kishte parregullsi dhe korrupsion gjatë zgjedhjeve në Stamboll.
Votimi për herë të dytë në këtë qytet thuhet se do të mbahet më 23 Qershor. Zv/kryetari i partisë opozitare CHP, Onursal Adiguzel tha se ripërsëritja e zgjedhjeve tregon se është “e paligjshme që të fitosh ndaj partisë AK”. Këtë vendim ai e konsideron diktaturë.
“Ky sistem që anashkalon vullnetin e popullit dhe shpërfill ligjin nuk është as demokratik dhe as i ligjshëm”,
u shpreh Adiguzel.
Kandidati i partisë “CHP”, Ekrem Imamoglu u konfirmua zyrtarisht kryebashkiak i Stambollit. Pas shpalljes së vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve, mbështetës të Imamoglu thanë se do të fitojnë përsëri.
Zgjedhjet bashkiake në Turqi u mbajtën më 31 Mars dhe u konsideruan me rëndësi mbi udhëheqjen e Presidentit Erdogan. Partia e tij humbi qytetet Stamboll, Ankara dhe Izmir. Por pas daljes së rezultateve, partia në pushtet ka akuzuar opozitën se po përpiqet të vjedhë zgjedhjet.
/tvklan.al