Përvetësuan ndihmat, arrestohen 2 policë dhe 1 zjarrfikës
Në pranga edhe një 25-vjeçare për përhapje paniku
Dy punonjës policie mes së cilëve shefi i rendit të komisariatit në Rinas dhe një punonjës i Zjarrfikëses, janë vënë në pranga nga uniformat blu pasi përvetësuan ndihmat për banorët e prekur nga tërmeti. Shërbimi për Çështjet e brendshme dhe ankesat ka vënë në pranga, shefin e rendit Altin Zeka si dhe komandantin e rendit në komisariatin e Rinasit Ervin Hoxhallari.
Në pranga është vënë edhe Arben Taulla, punonjës i zjarrfikëses në Kombinat. Hetimi ndaj këtyre personave nisi pas publikimit në media të këtyre pamjeve ku ata shfaqeshin teksa shkarkonin nga një furgon policie disa pako me ushqime që do të dërgoheshin për banorët e prekur nga situata e tërmetit.
Ushqimet janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Në të njëjtën kohë janë proceduar në gjendje të lirë edhe 2 të afërm të Zekës me akuzën e “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa policia e Durrësit ka arrestuar një 25-vjeçare pasi përmes rrjeteve sociale ka përhapur panik tek qytetarët. Në pranga është vënë Xhuliana Aliaj që shkruante se mund të shkatërrohej Porto Romano për shkak të tërmeteve.
Tv Klan