Peshëngritja në pritje të garave
Planifikohet rikthimi në Dhjetor
Peshëngritja është një nga sportet që është ndalur prej shumë muajsh për shkak të pandemisë së Covid-19. Gjithsesi sportistët po përgatiten çdo ditë, duke pritur rinisjen e garave. Erkand Qerimaj tregon që shumë vende i janë rikthyer aktiviteteve.
“Në vendet të tjera në Europë aktivitetet kombëtare janë zhvilluar si në Itali, Poloni apo Rusi. Shpresojmë që të fillojnë edhe aktivitetet për lojërat olimpike, pasi këto shtyrje nuk janë diçka e mirë”.
Trajneri Zef Kovaçi uron që në dhjetor kur planifikohet kampionati i parë në vend të zbresin në pedanë, pasi kërkesat e mëparshme janë refuzuar.
“Ishalla në Dhjetor që është plani të bëhet gara në Shqipëri që të jetë impulsi për Europianin. Të bëjmë 2 ose 3 gara të tjera që të jemi sa më të përgatitur”.
Kampionati Europian është planifikuar të mbahet në Prill të 2021, pas shumë shtyrjeve për shkak të Covid-19. Ky është aktiviteti më i rëndësishëm kualifikues për Lojërat Olimpike të Tokios.
Tv Klan