Peshkaqeni 4 metra i gjatë kafshon 37-vjeçarin


Peshkaqeni 4 metra i gjatë kafshon 37-vjeçarin

12:19 17/04/2018

Gjatë sulmit të një peshkaqeni në perëndim të Australisë është lënduar rëndë një sërfist nga Argjentina, ndërsa Liga Botërore e Sërfimit (wSL) anuloi garën e cila duhej të mbahej jo shumë larg vendit ku ndodhi sulmi.

Mediat australiane lajmërojnë se sërfisti Alejandro Travaglini është lënduar rëndë gjatë sulmit të peshkaqenit në plazhin Cobblestones në Gracetown.

Peshkaqeni kafshoi 37-vjeçarin në të dyja këmbët, ndërsa me helikopter ambulancë ai është transferuar në spitalin në Perth. Mjekët njoftuan se bëhet fjalë për plagë të rënda, por të lënduarit nuk i kanoset jeta.

Peshkaqeni me gjatësi prej katër metrave është parë në plazh edhe dy orë pas sulmit. Kjo bëri që Liga Botërore e Sërfimit të anulojë garën ndërkombëtare Margaret River Pro që duhej të mbahej në këtë rajon.

Sulmi i fundit vdekjeprurës nga peshkaqeni në plazhet e Gracetown ndodhi në vitin 2013, kur humbi jetën sërfisti 35-vjeçar, Chris Boyd./AA






Të ngjashme