Pezullohet koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit
Pezullohet zbatimi i kontratës koncesionare të fituar nga kompania turke “Vendeka – Bilgi”, për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit.
Ky pezullim do të jetë në fuqi deri në marjen e një vendimi nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Shkak për këtë është bërë një ankesë e depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik nga Bashkimi i Kompanive “Catalys and Salillari”, të cilët u skualifikuan për marjen me koncesion të mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë.
“Catalys and Salillari” pretendojnë se janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Pezullimi i kontratës koncesionare do të jetë në fuqi deri në marjen e një vendimi përfundimtar nga KPP dhe sipas Ministrisë së Transporteve është një procedurë normale.
Se çfarë do të ndodhë me fatin e koncesionit të Rrugës së Kombit, kjo do të vendoset në varësi të vendimit të Komisioni të Prokurimit Publik, që pritet të jepet brenda 10 ditësh.
Sipas Transporteve, përzgjedhja fituese e kompanisë turke për të marë me koncesion për 30 vjet autostradën Milot – Morinë është bërë për shkak se investimi i saj në vazhdimësi për mirëmbajtje dhe operim të rrugës ishte rreth 110 milionë euro më shumë se ofertuesi tjetër.
Tarifa e kalimit, që është përcaktuar për qytetarët në këtë aks është vendosur 5 euro dhe për këtë ka patur kundërshtime dhe protesta.
Tv Klan