Pezullohet vaksina kineze, ishte përdorur te mijëra njerëz…
Prova klinike braziliane për një vaksinë kineze Covid-19 është pezulluar pasi autoritetet shëndetësore kanë raportuar një incident “të rëndë të pafavorshëm”.
Vaksina CoronaVac, e zhvilluar nga firma kineze Sinovac Biotech, është një nga disa në testimin e fazës përfundimtare globalisht.
Megjithëse kompania Sinovac thotë se janë të sigurtë për vaksinën, të hënën Agjencia Kombëtare e Mbikëqyrjes Sanitare në Brazil tha se ka “vendosur të ndërpresë provën klinike të CoronaVac pas një incidenti serioz të pafavorshëm“, edhe pse nuk kanë zbuluar detaje se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Provat e fazës përfundimtare për vaksinën Sinovac po kryhen gjithashtu në Indonezi dhe Turqi, por asnjëra nga këto vende nuk kanë njoftuar ndonjë pezullim deri tani.
CoronaVac, tashmë është përdorur për të imunizuar mijëra njerëz në vende të ndryshme.
Brazili është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi, duke regjistruar më shumë se 5.6 milion raste të konfirmuara, numri i tretë më i lartë në botë pas SHBA dhe Indisë. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, deri tani në Brazil janë të regjistruara thuajse 163,000 vdekje./tvklan.al