Pikëpyetjet për Solskjaer
Rrezikohet vendi në pankinën e Manchester United, ka vetëm humbje
E ardhmja e Ole Gunnar Solskjaer në krye të pankinës së Manchester United është vënë në pikëpyetje. Sirenat e alarmit janë ndezur pas rezultateve të dobëta të “Djajve” që kulmuan me humbjen 2-1 ndaj Basaksehir mbrëmjen e djeshme në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.
Disfatë që komplikon pozitat e Solskjaer, pavarësisht se United mbetet në krye të grupit H me gjashtë pikë. Por ndryshe nga ecuria në Kupat e Evropës, United nuk po kalon një moment të mirë në kampionat. United u poshtërua 6-1 në shtëpi nga Tottenham muajin e kaluar, por u rikthye duke fituar tre nga katër ndeshjet e ardhshme, që përfshin një barazim kundër Chelsea.
Por pas paraqitjes së dobët të së dielës në humbjen 1-0 në shtëpi ndaj Arsenalit dhe një tjetër paraqitje të keqe në Stamboll, presioni është mbi Solskjaer. United nuk ka fituar asnjë nga gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi në kampionat çka reflektohet edhe në tabelën e klasifikimit. Pas gjashtë takimesh, United gjendet në vendin e 15 me vetëm 7 pikë të mbledhura.
Situata që mund të komplikohet akoma dhe më shumë në fundjavë, ku United sfidon Evertonin me synimin e vetëm fitoren. Rezultat që do të shpëtonte fatin e Solskjaer në stolin e klubit nga Manchester-i që nën drejtimin e tij ka humbur identitetin.
Klan Plus