Pipero: Cilat janë dëmet që shkakton Covid-19 në trupin e njeriut
Covid-19 është problemi që po mundon gjithë botën. Kjo pandemi ka shkaktuar plot të vdekur e miliona të tjerë të infektuar. Por teksa pritet dalja e vaksinës, një tjetër problem janë edhe pasojat që lë kjo sëmundje tek ata pacientë që e kanë kaluar.
Mjeku Pëllumb Pipero, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, u shpreh se ky është virus respirator, që fillimisht prek mushkëritë. Por dëmet që lë më pas në shëndet janë edhe më të mëdha.
Sipas Piperos, virusi dëmton enët e vogla të gjakut dhe për rrjedhojë shkakton dëmtime në tru, zemër, veshka dhe organe të tjera.
“Ky është një virus respirator që merret nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes, përmes hundës edhe gojës. Dhe impaktin e parë e ka në pulmone, në mushkëri. Por ndërkohë ky virus jep një vaskulicë sistemik të gjeneralizuar, dëmtim të enëzave të vogla të gjakut në gjithë organizmin, dhe pikërisht këtij lloji dëmtimi të enëve të vogla të gjakut i dedikohet apo i atribuohet edhe mikrotrombeve që shpërndahen në gjithë organizmin, edhe dëmtimi i zemrës, edhe dëmtimi i trurit, edhe dëmtimi i veshkave. Madje sot po lexoja që pikërisht këtij fenomeni i dedikohet edhe ulja e prodhimit të insulinës dhe rritja e glicemisë tek këta persona dhe nuk është rastësi që persona të cilët e kanë në mënyrë të heshtur apo nuk kanë lidhje gjenetike fare me diabetin, bëjnë hiperglicemi apo bëjnë diabet. Është e përkohshme besoj. Ky jep një dëmtim multiorganik, pothuajse i prek të gjitha indet dhe organet”, u shpreh Pëllumb Pipero. /tvklan.al