Pirro Xhixho për operatorin e dytë celular në Shqipëri – (9 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
“Shitja e operatorit të dytë celularë në Shqipëri, do të ketë efekte të ndjeshme në uljen e tarifave në treg”. Kështu ka deklaruar sot Pirro Xhixho, Drejtor i Përgjithshëm i Post Telekomunikacionit, pranë Ministrisë Publike dhe Privatizimit. Ndonëse nuk është shpallur ende zyrtarisht fituesi i tenderit, kompania angleze Vodafone, paraqiti ofertën më të lartë, duke dalë automatikisht blerësja e operatorit të dytë celularë në Shqipëri.
Gazetarja:- A mund të thuhet se Vodafone është fituesi i kësaj gare?
Pirro Xhixho:- “Zyrtarisht ajo është me firmën e ministrit, padyshim ajo e zyrtarizon këtë garë, por renditja fillon nga vlera më e lartë, kështu që kjo ka vlerën e vetë. Efekti i parë është ardhja e një investitori kaq të fuqishëm, numri një në botë, teorikisht dhe praktikisht, koha ka treguar, eksperienca tregon, që efekti bazë është ulja e tarifës. Konkurrenca do bazohet mbi cilësinë, por edhe mbi tarifën”.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit është duke parë mundësitë në një të ardhme të afërt për një operator të tretë celular në Shqipëri, gjë e cila sipas drejtorit Xhixho është teknikisht e mundshme./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego