Pjetër Arbnori, Namik Dokle, kodi elektoral – (14 Prill 2000)


Pjetër Arbnori, Namik Dokle, kodi elektoral – (14 Prill 2000)

12:10 14/04/2000

Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Pozita dhe Opozita ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me KQZ. OSBE dhe organizmat e tjerë ndërkombëtar që negociuan rreth formulimit të kodit elektoral edhe këtë radhë nuk ja arritën qëllimit për të bërë që PS dhe PD të kenë të njëjtin qëndrim. PD nuk e njeh komisionin qëndror të zgjedhjeve dhe e konsideron atë si anti-kushtetuese. Per Tv Klan flet anëtari i kryesisë së PD Pjetër Arbnori.  

Pjetër Arbnori:- “Ne nuk e njohim KQZ të miratuar nga presidenti Mejdani në kundershtim me Kushtetutën dhe në këto rrethana ne themi se është e udhës dhe do të bëhet që ky komision i pa drejtë do të zhbëhet”.

Por në çfarë pozitash ndodhet pozita përballë kësaj situate? Sekretari i pergjithshem i PS Namik Dokle pohon.  

Namik Dokle:- “Pozita ndodhet në pozitën e respektimit të Kushtetuës, të kodit elektoral i cili do të aprovohet me mazhorancën parlamentare, qoftë me votën e opozitës qoftë pa votën e opozitës”.

Por çfarë është e rëndësishme sipas socialistëve?

Namik Dokle:- “E rëndësishme është se përpunimi i kodit elektoral i cili sapo u miratua nga qeveria ka kaluar në një proces të hapur, transparent dhe demokratik edhe nëpërmjet punës së ekspertëve shqiptar edhe nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të frutshëm me ekspertët e OSBE-së dhe KE dhe çfarëdo kundërshtimi që të ketë tani opozita është një kundërshtim absurd”.

Ndërsa demokratët do të bëjnë presion që KQZ do të zhbëhet.  

Pjetër Arbnori:- “Ne do të bëjmë presione për të mbrojtur lirinë e votës, presione për të mbrojtur demokracinë është një presion i ligjshëm dhe ky nuk ka të bëjë me dhunën ka të bëjë me mobilizimin e gjithë popullsisë për të kërkuar një të drejtë që i takon”.

E ndërsa nga ana tjetër duket se socialistët e kanë gjetur përgjigjen e presionit demokrat.

Namik Dokle:- “Kushdo qe e kundershton këtë kod elektoral në bazë të të cilit ndërtohet edhe funksionimi i KQZ do të thotë se nuk ka mësuar ende asgjë nga demokracia dhe kërkon erresirë e destabilizim për të mos zhvilluar zgjedhje të lira në Shqipëri”./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari






Të ngjashme