Plagosen dy agjentët e SHISH në Tiranë – (29 Tetor 2000)


Plagosen dy agjentët e SHISH në Tiranë – (29 Tetor 2000)

10:18 29/10/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Dy agjentë të Shërbimit Informativ Shqiptar, plagosen pas një grindje me një person tjetër. Ngjarja ka ndodhur sot në Tiranë rreth orës 11 tek kryqëzimi i rrugës pas ambasadës Amerikane. Sipas drejtuesve të komisariatit nr.1, të cilët kanë qenë të parët që u kanë dhënë dhe ndihmën e shpejtë dy të dëmtuarve, shkaqet e grindjes janë krejt banale.  

Një makinë ku udhëtonin dy agjentët e SHISH, Julian Marku dhe Bledar Isufi është fërkuar në ecje e sipër me një makinë tjetër ne këtë kryqëzim, që vinte nga para. Pas kësaj, dy makinat kanë ndaluar, ku dhe nis sherri mes dy palëve. Grindja shkon deri në një pikë të acaruar, ku shoferi i makinës tjetër, ende i pa identifikuar qëllon me një pistoletë dy agjentët sekret Marku dhe Isufi. Plumbat e pistoletës kanë kapur që të dy ata duke i plagosur njërin në këmbë e tjetrin në krah.

Nga dëshmitë e kalimtarëve të rastit është konkluduar se krimi ka ndodhur në rrethana krejt momentale, pas grindjes së çastit. Ekspertët e policisë shkencore, kanë gjetur vetëm gëzhojat e plumbave, ndërsa armën jo. Më pas në spital janë pyetur dhe dy të plagosurit. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e personit, që qëlluan dy agjentët pas një grindje banale./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme