Plagosën taksistin, zbulohet shkaku: Autorët u frikësuan nga policia


Plagosën taksistin, zbulohet shkaku: Autorët u frikësuan nga policia

11:26 20/12/2017

Autoritetet kanë mundur të zbardhin ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së martës në Himarë, ku mbeti i plagosur një shofer taksie. Në një njoftim të sajin policia sqaron se, dy personat tashmë të identifikuar, e kanë plagosur me armë imituese shoferin, pasi ai refuzoi të devijonte rrugë. Arsyeja përse ata kërkuan nga shoferi që ai të ndryshonte rrugë është bërë një postbllok i policisë që ishte ngritur në Urën e Palasës. 

“Dy autorët, tashmë të identifikuar nga Policia, K.B., dhe G.Ç., të cilët ishin pasagjerë në taksinë me drejtues B.G. dhe udhëtonin në aksin rrugor Himarë-Palasë, në momentin që kanë vënë re një pikë kontrolli të ngritur nga Policia në vendin e quajtur ”Ura e Palasës”, të dy këta persona kanë detyruar nën kërcënimin e armës imituese B.G., të ndërronte drejtimin e rrugës”,

sqaron policia.

Por, drejtuesi i mjetit nuk ka pranuar dhe janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Në këtë moment, një nga autorët e ka qëlluar me armën imituese shoferin 70-vjeçar, duke e lënë të dëmtuar. Ata i kanë marrë vetëm çelësat e taksisë dhe janë larguar, duke përfituar edhe prej terrenit dhe errësirës.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta dy persona janë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 12 të këtij muaji në hyrje të Orikumit, ku mbeti i plagosur në këmbë një 23-vjeçar. Policia thotë se po vijon intensivisht punën për kapjen dhe ndalimin e tyre.

/tvklan.al






Të ngjashme