Qëllohet me snajper Ardian Çapja
Makina e atentatorëve gjendet e djegur
Ardian Çapja ka rënë sërish pre e një atentati. 55-vjeçari, një emër i njohur për drejtësinë dhe i lakuar në disa ngjarje kriminale, është qëlluar në shtëpinë e tij në lagjen “Emin Matraxhiu”, në Elbasan.
Një grup prej 5 personash dyshohet se u futen në lagje dhe qëlluan drejt tij me Snajper dhe armë të tjera.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e ngjarjes. Dy persona dyshohet se kanë qëlluar me armë, një tjetër ka qenë në drejtim të makinës dhe dy të tjerë janë pozicionuar për të ruajtur zonën, nga frika e ndonjë kundërpërgjigje me armë.
Një nga plumbat e ka kapur Çapjan në shpatull. Kur është rrëzuar ai ka marrë edhe dëmtime në kokë.
Por dyshohet se plumbi ka ardhur nga kodra përballë shtëpisë së tij dhe jo nga personat që ishin futur në lagje.
Pak minuta pas atentatit, një makine tip Volksvagen u gjet e djegur në Fushë Mbret, në afërsi të Metalurgjikut. Policia thotë se ajo është makina e atentatorëve.
Një Snajper me numër serie të fshirë u gjet në makinë. Ajo ishte e mbushur edhe me municione. Shpërthimi i tyre teksa makina kishte marrë flakë, plagosi në këmbë zjarrfikësin Dashamir Muhaxhiri, 38 vjeç, i cili ndërhyri të shuante zjarrin.
Autorët, pasi kanë lënë mjetin e përdorur në atentat, kanë marrë një makinë tjetër për t’u larguar drejt Peqinit.
Ardian Çapja ka shkuar fillimisht në spitalin e Elbasanit, në orën 09:37. Familjarët e tij u thanë mjekëve se ai kishte rënë nga shkallët, një version i pabesueshëm, që vuri në alarm policinë.
Kur gjendja e tij u përkeqësua, Çapja u nis drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ky është atentati i tretë që i bëhet Ardian Çapjas. Në vitin 2017 ai u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv.
Për ngjarjen e mëngjesit policia ka shoqëruar 12 persona. Pista kryesore e hetimeve mbeten konfliktet e vjetra mes grupeve kriminale në Elbasan.
Tv Klan