Plagoset në atentat 23-vjeçari


Plagoset në atentat 23-vjeçari

20:04 07/02/2018

Një 23-vjeçar mbeti i plagosur në një atentat pranë kryqëzimit të Cërrikut në Elbasan. Sipas policisë, Raif Çaushllari, pronar i një motoservisi, ishte duke ecur në trotuar kur u qëllua me pistoletë nga një person i paidentifikuar. Autori i krimit u largua në këmbë ndërsa la në vendin e ngjarjes pistoletën me të cilën hapi zjarr.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:40 të së mërkurës. Menjëherë më pas i plagosuri u dërgua në spitalin rajonal të Elbasanit jashtë rrezikut për jetën. Hetuesit i kanë orientuar veprimet e para hetimore në pistën e një atentati për motive të çastit.

Kjo pasi disa dëshmitarë i thanë policisë se kanë dëgjuar debat mes agresorit dhe të plagosurit.  Nuk përjashtohet edhe pista e një konflikti të mundshëm, për shkak të vëllait të 23-vjeçarit, i cili është i skeduar nga blutë e Elbasanit për vepra të ndryshme penale.

Policia e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë  ka ngritur pika kontrolli dhe po bën krehjen e zonës. Në polici janë shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.

Problematika e ngjarjeve në Elbasan ishte në fokus edhe të një takimi që kryeprokurja  Arta Marku kishte të mërkurën në Prokurorinë e Elbasanit, ku kërkoi të hetohet me efikasitet e shkuara e personave me precedentë penalë. Marku tha se Elbasani rezulton pikë e nxehtë e grupeve kriminale ndaj dhe policia duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me policinë e shtetit.

Tv Klan






Të ngjashme