Planeti si top zjarri, deti i kuq e flakë vdekjeprurëse…
Kjo hartë tregon valën vdekjeprurëse të të nxehtit që ka mbërthyer planetin, në atë që ekspertët thonë se është pa dyshim pasojë e ngrohjes globale.
Imazhi, i publikuar nga mediat ndërkombëtare, tregon det të kuq, valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese që i kanë kushtuar jetën qindra personave. Teksa Britania përgatitet për temperatura që pritet të kapin vlerat e 36.7 gradë Celcius, numri i viktimave nga zjarret në Greqi ka shkuar në 85. Temperaturat deri në 41 gradë Celcius i morën jetën 41 personave në Japoni, ndërsa më shumë se 22 mijë persona përfunduan në spitale për shkak të vapës së tmerrshme. Në Suedi e Norvegji zjarret shkaktuan dëme të mëdha, i morën jetën një personi e plagosën me dhjetëra të tjerrë. Në Korenë e Jugut vapa i mori jetën të paktën 10 personave, ndërsa në Kanada, ajo la pas 70 viktima vetëm në provincën e Quebec. Grafiku, i përpiluar nga Instituti i Ndryshimeve Klimaterike në Universitetin e Maine, tregon gjithashtu një ndryshim të madh klimatik në 42 vjet. Harta e publikuar në Twitter nga meteorologu Simon Lee tregon diferencën e madhe mes situatës së planetit në vitin 1976 dhe 2018. Nëse në '76-ën Britania ishte një vend me klimë normale të ngrohtë, me pjesën më të madhe të zonave më të ftohta se mesatarja, në Qershor të 2018-ës, Britania ishte një tjetër shtet me temperatura të larta mbi normalen. Sëbashku me grafikun, eksperti Lee thotë se vala e të nxehtit po vjen gjithnjë e në rritje dhe po përparon me shpejtësi, e kjo po ndodh kryesisht për shkak të emetimit të gazrave serrë. Ai thotë se vetëm duke bërë një krahasim mes 1976-ës dhe 2018-ës del në pah që ka një rritje të madhe dhe të vazhdueshme të ngrohjes globale./tvklan.al