Plani i administratës Trump kundër emigrantëve
Politika amerikane kundër imigrimit ilegal nën presidentin Trump është ashpërsuar, por tani ndërmerret edhe një hap tjetër. Trump do të reduktojë ndjeshëm edhe imigracionin legal në SHBA.
Presidenti amerikan planifikon një ndryshim të ligjeve të imigracionit në SHBA, që prekin lejet e përhershme të qëndrimit në Amerikë, të ashtuquajturat Green Cards. Ato do të ulen ndjeshëm në vetëm 500.000 leje në vit. Kjo do të thotë përgjysmimi i lejeve që janë dhënë deri më tani. Në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri fjalë për “një nga reformat më të rëndësishme të sistemit të imigrimit brenda një gjysmë shekulli”.
Ligji parashikon që në të ardhmen, dhënia e Green Card-eve të bëhet në bazë të një sistemi pikësh si në Australi e Kanada, të cilat vlerësojnë aftësitë e kandidatëve. Trump tha, se sistemi i ri do të vlerësojë ata të huaj që flasin mirë anglisht, kanë cilësi profesionale të caktuara dhe që mund të kujdesen për veten e fëmijët e tyre.
Presidenti amerikan kritikoi sistemin e deritanishëm, që jepet me lotari ose që preferon vetëm ata të huaj, që kanë lidhje familjare me SHBA-në. “Në këtë mënyrë vijnë në vend shumë të huaj të pakualifikuar, që u marrin punën amerikanëve”, ka nënvizuar kreu i Shtëpisë së Bardhë. Sipas Trump kjo rëndon “punëtorët amerikanë, taksapaguesit dhe burimet e komunave”.
Që nga ardhja në pushtet e Trump, qeveria amerikane vepron masivisht kundër emigrantëve ilegalë në vend.