Plani i vjeshtë-dimrit për përballimin e COVID-19
Manastirliu: Gati për hapjen e strukturave të reja spitalore
48 infermierë i janë shtuar shërbimit infektiv, i cili që prej Marsit shërben si spital për të prekurit nga koronavirusi.
“Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren”.
Vjeshta pritet të sjellë shtim të rasteve me koronavirus, ndaj Ministria e Shëndetësisë u shpreh se po bëhet gati hapja e strukturave të reja.
“Plani vjeshtë-dimër, jo vetëm që na ka orientuar drejt fuqizimit të kapaciteteve sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve biomjekësore, por tashmë rritja e numrit të stafeve tona infermierore i shërben cilësisë, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore dhe sigurisht t’i paraprijmë me ndërtimin dhe formimin e ekipeve tona të infermierëve dhe paralelisht edhe të mjekëve”.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga pandemia, sistemi shëndetësor nuk e ka ndaluar punën dhe ofron shërbim me kapacitete të plota edhe për të gjithë qytetarët.
Tv Klan