Pleqtë dhe ullinjtë


Pleqtë dhe ullinjtë

17:30 27/11/2017

“Muaji Nëntor njihet ndryshe dhe si sezoni i mbledhjes së ullinjve. Ne ndodhemi në fshatin Prezë, ku mbledhja e ullinjve ka 2 javë që ka nisur. Edhe pse banorët thonë se ky vit ka patur prodhimtari të ulët, sërish këtu puna vazhdon në mënyrë intensive.”

Në të gjithë fshatin, pema e ullirit është një simbol që të uron mirëseradhjen. Në çdo shtëpi apo rrugë nuk ka hapësirë të mbjellë, ku të mungojë edhe aroma e ullirit.

Për bujqit, në Nëntor nuk ka shumë punë, ndaj dhe ata i përkushtohen ullirit.

“Ulliri i Prezës është mbreti i ullirit. Është ulli shekullor dhe e kemi traditë të trashëguar brez pas brezi.

Në Prezë duket se gjithçka është e vjetër. Kalaja, ullinjtë dhe njerëzit që kanë mbetur ende në fshat.

“Rinia ka ik jasht shtetit. Unë i kam të dy çunat në emigracion, një në Itali, një në Angli dhe detyrohem t’i mbledh vetë, deri sa të iki dhe shëndeti.

“Meqë kemi ngel shumë të vjetër, nuk mund t’ia bëjmë dhe të gjitha shërbimet sa kërkon kultura ullirit.

Numri i familjeve në këtë fshat ka rënë dhe jeta në kala nuk është aq aktive. Megjithatë edhe ata që ikin, nuk e braktisin fshatin. Emigrantët që kthehen nuk preferojnë të jetojnë në qytet, por rindërtojnë shtëpitë në fshatin e tyre, të mbushur me ullinj.

Ullinjtë janë dëshmitarët më të vjetër të historisë së këtij fshati. Të moshuarit thonë se do t'u shërbëjnë deri në fund të jetës, me shpresësn se të rinjtë do të rikthehen një ditë për të jetuar bashkë me ullinjtë në këtë fshat.

Deri atëherë ullinjtë dhe pleqtë do të mbajnë gjallë njëri-tjetrin.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Megi Fagu





Të ngjashme