Plotësohen kërkesat e grevistëve të urisë në Paskuqan – (9 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në Kodrën e Kuqe, të komunës së Paskuqanit, sot rreth orës 13, mbërritën dy transformatorë, me kapacitet nga 400 kw secili. Ndërkohë që dje pasdite në këtë lagje, punonjësit e elektrikut kishin sjellë 7 shtylla për instalimin e rrjetit elektrik, por pavarësisht nga kjo grevistët e urisë thonë:
“Me këtë u plotësua një kërkesë. Pika e dytë është uji, nënshkrimi i një marrëveshje me afate, përmes përfaqësuesve dhe ne do dalim”.
Ndërkohë kryetari i komunës të Paskuqanit, Osman Pëllumbi, pas takimeve në Tiranë me përfaqësuesit e prefekturës, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë, thotë:
Osman Pëllumbi:- “Që në orën 9, unë jam drejtuar në Prefekturë dhe Ministrinë e Arsimit, për problemet që kanë grevistët, ku mora mesazhin që transformatorët u sollën dhe shkolla fillore do të fillojë, gjithashtu do të hapet edhe një dhomë për qendrën shëndetësore”.
Pas plotësimit të disa nga kërkesave, sot pasdite pritet që grevistët të dalin nga greva./tvklan.al