PNUD-i projekte zhvillimi në rrethin e Gramshit dhe Elbasanit – (6 Shkurt 2001)


PNUD-i projekte zhvillimi në rrethin e Gramshit dhe Elbasanit – (6 Shkurt 2001)

21:27 06/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Rrethi i Gramshit është përfshirë në projektin “Armët në këmbim të zhvillimit”, projekt ky i zhvilluar nën kujdesin e PNUD-it. Gjatë fazës së parë të projektit Janar-Shtator 1999, në këtë rreth u dorëzuan 6 mijë armë, 55 mijë granata dhe 12 milion fishekë dhe banorët e këtij rrethi përfituan 12 projekte që kapën shifrën një milion dollarë dhe konsistuan në riparimin e rrugëve, shkollave etj.

Me këtë rast, e sapo emëruara e PNUD-it në Shqipëri, Kristina Shtajner Klinter, zhvilloi një vizitë pune në këtë rreth. Titullarë të pushtetit lokal iu kanë kujtuar përfaqësuesve të PNUD-it se fondet e projektit të zbatuar duhet të ishin më të mëdha dhe në disa raste përfundimi i projekteve lë për të dëshiruar.

Një takim të tillë, përfaqësuesja e PNUD-it, realizoi edhe në prefekturën e Elbasanit, ku prefekti Durim Hushi ka ritheksuar se grupi zbatues i këtij projekti, nuk arriti të përcaktojë dorëzimin në kohë të disa investimeve./tvklan.al






Të ngjashme