Pogradec/Arrestohet për mashtrim ish-Kryetari i Shoqatës për persona në nevojë, ishte në kërkim
Pogradec – Policia ndalon ish-Kryetarin e një Shoqate private e cila kujdesej për persona në nevojë, i dënuar me 5 vjet heqje lirie, për veprën penale: “Mashtrimi”.
Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, falë një pune të mirëorganizuar, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Suli Çollaku, 38 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.
Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendim Nr 31, të datës 23.02.2015, e ka dënuar këtë shtetas, me 5 (pesë) vjet burg, për veprën penale: “Mashtrimi” parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.
Suli Çollaku para disa vitesh, rezulton të ketë qenë Kryetar i një shoqate private, e cila kujdesej për persona në nevojë, në qytetin e Pogradecit.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Çollaku ka abuzuar me detyrën, mashtronte njerëz dhe përfitonte prej tyre shuma parash, duke iu premtuar në këmbim: përfitime pensioni, vende të ndryshme pune, apo ndihmë ekonomike, anëtarëve të shoqatës në fjalë./tvklan.al