Polica Greke kthen refugjatët në pikën doganore të Kapshticës (30 Qershor 2000)


Polica Greke kthen refugjatët në pikën doganore të Kapshticës (30 Qershor 2000)

15:54 30/06/2000

Pika doganore e Kapshticës vazhdon të presë refugjatë shqiptarë të kthyer nga Policia Greke. Rreth 2000 mësohet të jetë numri i të kthyerve dy ditë pas vrasjes së kufitarit grek Pampukithis, 40 metra brenda territorit grek. Vrasësit janë kontrabandistë shqiptarë, deklaruan autoritetet greke duke nisur dhe një valë masive kthimi. Të pyetur nga Tv Klan shqiptarët në Kapshticë shprehen të indinjuar për këtë “fshesë” të re.

Ndërkohë dhe krerët e policisë së Korçës janë takuar me kolegët e Fillorinës ku kanë shkëmbyer dhe informacionet e deritanishme. Rreth 40 të dyshuarve nga Policia e Korçës thotë kreu i saj Sokol Çela, se shumë shpejt do të gjendet vrasësi. Por kryepolici Çela u ka kërkuar kolegëve grekë të ndalin keqtrajtimet dhe kthimet masive për refugjatët e tjerë të pafajshëm.

Nëndrejtori i Policisë së Korçës Agron Pipa rreth kësaj ngjarje thotë për Tv Klan:

” Nga ana jonë këto ngjarje pavarësisht se kanë ndodhur në tokën greke u morën një sërë masash duke mbështetur punën e policisë greke. “

Ndërkohë masat e marra nga policia greke kanë bërë kontrollin e imtësishëm të akseve kryesore rrugore. Postblloqet përveçse në Korçë janë ngritur dhe në Devoll. Ndërkohë që aksioni për kapjen e vrasëve të policit grek po shkon drejt përfundimit./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme