Policia austriake “ndalon” Kukësin
Ekipi kampion i Shqipërisë, Kukësi, po hetohet nga drejtësia austriake për trukim ndeshjesh. Të dielën, teksa ekipi përgatitej për t’u nisur drejt Moladavisë ku do të luajë me Sherifin e Tiraspolit për kualifikueset e Champions League, autobusi u ndalua nga policia.
Disa prej futbollistëve, trajneri Ernest Gjoka dhe menaxheri i ekipit u shoqëruan në një prej stacioneve të policisë së Vienës, ku kontrolluan dhe u morën në pyetje. Mediat austriake dhe më saktësisht gazeta “Kurier”, shkruajnë se sinjalizimi erdhi nga një kompani që monitoron bastet.
Miqësorja me Dinamon e Moskës e humbur me rezultatin 6 – 0 u bë shkak për të marrë në pyetje lojtarët. Një zyrtar i policisë austriake tha se lojtarët u zgjodhën duke analizuar videon e ndeshjes.
Lojtarët nuk kanë dashur të dorëzojnë vullnetarisht celularët, sipas asaj që shkruan gazeta “Kurier”. Kukësi me anë të një deklarate sqaron se është gati për çdo hetim duke qenë gati për të bashkëpunuar.
Ndërsa lojtarët kanë ndjekur të gjitha udhëzimet e avokatit të klubit. Ky i fundit po merret me çështjen dhe po punon me ngritjen e një padie kundër Federbetit. Pikërisht kjo kompani ngriti dyshime se të trukuara janë tre ndeshje, Volfsberger – Kukësi 7 – 0, Kukësi – Botoshani 3 – 1 dhe Dinamo e Moskës – Kukësi 6 – 0.
Tv Klan