Policia del në aeroport me parrullën “Mirësevini në Ferr”
Policët e Rio de Janerio në Brazil kanë befasuar udhëtarët kur në mes të aeroportit janë shfaqur me një pankartë të madhe ku shkruhej: “Mirësevini në Ferr”, policia dhe zjarrfikësit nuk paguhen dhe çdokush që vjen në Rio de Janerio nuk është i sigurt”.
Një muaj nga nisja e Lojrave Olimpike 2016, që fillojnë me 5 Gusht, agjentët kanë paralajmëruar turistët se ky vend nuk është i sigurt, sepse ata që kujdesen për t’i mbrojtur nuk paguhen. Sipas drejtuesve të sindikatave, nuk është e përjashtuar dhe mundësia që punonjësit të futen në grevë gjatë zhvillimit të Lojrave Olimpike. “Fatkëqësisht puna dhe jeta në këtë vend po shndërrohet në një ferr të vërtetë”, thuhet në njoftimin e unionit të sindikatave. “Vetëm për një vit në Rio janë vrarë rreth 50 policë, ndërsa 300 të tjerë janë plagosur”, vijon sindikata e policëve. Protesta erdhi pasi gurvenatori i Rio de Janerio-s, Francisco Dornelles, njoftoi se financat publike ishin në “gjendje të mjerueshme” dhe paralajmëroi kolapsin e shërbimeve kryesore, si siguria apo shëndetësia./tvklan.al