Policia, detaje për kapjen e shqiptarit në Greqi
Policia ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e një shqiptari në Selanik të Greqisë, i dënuar me 18 vjet burg nga drejtësia shqiptare.
Ai është Hashim Isufi, 55 vjeç nga Ferraj, Tiranë. Arrestimi i tij erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën.
“Hashim Isufi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim penal nr. 278 datë 04.05.1999 e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burg për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje””
, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja:
Në datë 05.03.1998, rreth orës 17:00, në fshatin Ferraj, Tiranë, Hashim Isufi ka qëlluar 3 herë me pistoletë në drejtim të L. V, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë.
Hashim Isufi i është afruar të plagosurit dhe ka tentuar ta qëllojë përsëri, por i është bllokuar arma e zjarrit dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kapja dhe arrestimi i tij në Selanik u bë për qëllim ekstradimi në Shqipëri.
Lajmi për arrestimin e Isufit u publikua fillimisht në mediat greke, këtë të mërkurë.
/tvklan.al