Policia e Elbasanit gjoba për bllokimin e trotuareve – (31 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Disiplinë e plotë në trotuaret e qytetit të Elbasanit. Pasi janë ndaluar plotësisht bllokimi i trotuareve nga makinat e motorët e parkuar në pjesën e rrugës që duhet të kalojnë qytetarët tani policia ndalon dhe ata që trotuarin e përdorin jo për lëvizje e shëtitje, por rehatohen për të kaluar aty orë të tëra në ditë. Tre deri pesë mijë lekë të vjetra gjobë për ata që ulen në bordurat e trotuareve.
Në këtë mënyrë policia e Elbasanit, po zbaton një praktikë me disa elemente të kodit të vjetër policor. Forcat blu në Elbasan e konsiderojnë këtë si një element të qytetërimit bashkëkohor shprehet shefi i rendit të Elbasanit Qerim Alija dhe numri i të ndëshkuarve me gjoba shkon 30 deri në 40 në ditë.
Pas disa operacioneve për rendin, trafiqet dhe qetësinë në Elbasan, policia e këtij qyteti ka vendosur të disiplinojë tani edhe lëvizjen në trotuaret e qytetit./tvklan.al