Policia e Pogradecit intensifikon luftën kundër krimit të organizuar – (6 Nëntor 2000)


Policia e Pogradecit intensifikon luftën kundër krimit të organizuar – (6 Nëntor 2000)

20:50 06/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Policia e Pogradecit, ka intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar. Këtij qëllimi i shërbejnë ngritjet e postoblloqeve të lëvizshme në pikat ku kalojnë trafiqet e mundshme. Ky postobllok është ngritur në Qaf Thanë dhe është një koordinim i punës mes policive të krimit ekonomik, drogës, kriminales dhe qarkullimit rrugor.

Trafiqet e organizuara, i kanë përdorur rrugët nacionale dhe liqenin e Ohrit, për kalimin tranzit të viktimave të tyre. Herë pas here, policia e qytetit të liqenit, ka kapur kurdë, bangladeshas dhe prostituta nga vendet e lindjes, të cilat më pas i ka kthyer në vendet e tyre.

Shefi i komisariatit Arben Ibro, deklaron: “Ne kemi vërtetuar lidhje që ekzistojnë mes trafikatëve shqiptarë me ata maqedonas e deri në Turqi, e kemi luftuar t’i këpusim këto lidhje”. Më tej, ai nënvizon se krahasuar me vitin e kaluar është rritur forca zbuluese e krimit 15%, ndërkohë që krimi ka ardhur duke rënë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme