Policia e Sarandës hetime për vrasjen e policit Artur Liçi – (28 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Dy vajzat e plagosura dje në Sarandë, janë dërguar mbrëmë vonë për kurim në Janinë. Gjendja e rëndë sidomos e njërës prej tyre, ka alarmuar mjekët sarandjotë të cilët i kanë kërkuar ndihmë ambasadës greke, që ka mundësuar dërgimin e tyre urgjent në qytetin grek. Ngjarja e rëndë e ndodhur dje pasdite në shtëpinë e policit Artur Liçi mbetet akoma mister.
Një breshëri kallashnikovi, i ka marrë jetën në vend policit 31 vjeçar, si dhe ka plagosur rëndë me një plumb në kokë të bijën 5 vjeçare Anxhela dhe një vogëlushe tjetër, e afërmja e tyre.Dy vogëlushet po kurohen në Janinë, ku më rëndë duket vajza e policit të vrarë, e cila ndodhet në koma. Ndërkohë që sot janë bërë nderimet e fundit për policin e vrarë Artur Liçi, që kishte vetëm pak kohë si efektiv i policisë së Sarandës.
Kolegë të tij kanë ngritur tre pista, pa përcaktuar ende njërën më të saktën. Një version është që breshëria e kallashnikovit të ketë ardhur nga persona të panjohur nga jashtë shtëpisë së policit. Një version i dytë është shkrehja aksidentale e armës nga polici Liçi ndërsa po e pastronte atë, duke plagosur të bijën dhe mbesën dhe pas kësaj duke vrarë dhe veten dhe versioni i fundit është shkrehja e armës pa dashje nga vetë vajza e viktimës, ku si pasojë vritet i ati dhe rikosheta e plumbit plagos atë dhe vogëlushen tjetër. Megjithatë versioni i saktë do të dal vetëm pas kryerjes së plotë të ekspertizës pas disa ditësh./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj