Policia e Shtetit forcon masat e sigurisë për festat e fundvitit
Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë duke rritur prezencën e efektivëve të policisë në rrugë për të garantuar mbarëvajtjen e festave të fundvitit.
Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se janë përcaktuar disa masa për të menaxhuar më mirë sigurinë në vend për shkak të emigrantëve që kthehen në Shqipëri për festat, si dhe për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Ndërkohë, uniformat blu janë fokusuar edhe në:
• Evidentimi dhe kontrolli i personave me precedent kriminal e penal, mbajtja e tyre nën kontroll dhe automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë;
• Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave;
• Identifikimi dhe kapja e personave të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës dhe personave në kërkim;
• Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, planifikimi dhe zbatimi i masave për kapjen e autorëve të mundshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore;
• Rritja e prezencës policore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale;
• Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.
Strukturat e Policisë do të analizojnë dhe rivlerësojnë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës, për konflikte për motive të ndryshme, persona në kërkim, si dhe të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Janë hartuar Planet e Vendosjes së shërbimeve të Policisë Rrugore me qëllim monitorimin e akseve kryesore rrugore kombëtare.
Këto struktura mbështeten nga Repartet e NSH Tiranë, Fier, Shkodër për kontrollin e territorit dhe patrullime të përbashkëta.
Bazuar në informacione, do të organizohen operacione të përbashkëta në pika kontrolli stacionere apo të lëvizshme, për ndalimin, kontrollin e sigurt të automjeteve dhe kapjen e personave objekt i këtij kontrolli.
Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, Qendra Tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj.
Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale të lojërave të licencuara të fatit dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.
Gjithashtu strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
/tvklan.al