Policia e Shtetit u përgjigjet akuzave të PD për Orest Sotën: Ne e arrestuam dhe e çuam për ndjekje penale


Policia e Shtetit u përgjigjet akuzave të PD për Orest Sotën: Ne e arrestuam dhe e çuam për ndjekje penale

17:02 06/11/2017

Policia e Shtetit ka reaguar përsëri pas akuzave të kryetarit të PD Lulzim Basha, i cili akuzoi uniformat blu se mbajtën të fshehtë arrestimin e biznesmenit Orest Sota, të cilit ju gjetën mbi 800 mijë Euro dhe dy patenta të Saimir Tahirit.

Në deklaratën e saj, Policia thotë se kanë qenë pikërisht uniformat blu të Elbasanit që arrestuan Orest Sotën dhe e çuan për ndjekje penale në Prokurori.

 Reagimi i Policisë së Shtetit:

 Përsëri Partia Demokratike sot akuzoi për qëllimet e saj dhe pa asnjë bazë Policinë e Shtetit, lidhur me ndalimin e shtetasit Orest Sota nga policia. 

Policia e Shtetit është e detyruar të shprehë përsëri keqardhjen për këtë sulm politik, duke nënvizuar se ka bërë detyrën konform ligjit e të gjitha procedurave të kërkuara nga ligji.

Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, siç është e qartë që shtetasin e ndaloi dhe e çoi për procedim penal, Policia e Shtetit jo akuzuesit e saj. 

Policia e Shtetit shpreh edhe njëherë keqardhjen për përsëritjen e përditshme të akuzave që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe i bën thirrje Partisë Demokratike e të gjithë forcave politike, të mos bëjnë politikë duke përbaltur punën e uniformave blu. 

Policia e Shtetit ka goditur dhe do të godasë pa asnjë diferencim, çdo shkelje dhe shkelës të ligjit, pavarësisht përfshirjes së qëllimshme që politika i bën asaj në axhenda të cilat nuk kanë të bëjnë asgjëkundi me misionin e me punën e policisë. 

Policia e Shtetit pret mbështetjen dhe solidaritetin e opozitës në luftën kundër krimit, korrupsionit e shkeljeve të çdo lloji, jo luftën politike kundër saj kur ajo kryen detyrën për të cilën është krijuar e për të cilën paguhet nga taksat e popullit shqiptar.

/tvklan.al






Të ngjashme