Policia e Tiranës, arrestime – (4 Nëntor 1999)


Policia e Tiranës, arrestime – (4 Nëntor 1999)

22:19 04/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Tre adoleshentë autorët të vjedhjes me armë pak ditë më parë të një apartamenti arrestohen në flagrancë. Shtetasit e ndaluar janë Endenis Ami, Ervis Figa dhe Shaban Havi të moshës 17, 18 dhe 16-vjeç të padënuar më parë, të cilët kanë vjedhur nga apartamenti i një shtetase 7 milionë lekë të reja.

Pas punës së kryer nga uniformat blu të Komisariatit numër 1 të Tiranës është bërë i mundur dokumentimi i veprës penale. Janë gjetur arma e krimit dhe paratë e konvertuar në dollarë, si dhe një pistoletë neuroparalizuese, një pushkë dhe veshjet e përdorura në momentin e krimit.

Po ashtu forcat e Komisariatit 1 kanë arrestuar shtetasin Genti Meçe 28-vjeç. Ai akuzohet për vrasjen e shtetasit Eduart Kora tek Rruga “Ali Demi” më 21 Tetor të këtij viti. Kapja e tij është bërë e mundur dje teksa vrasësi po udhëtonte për në qytetin e Krujës, në bazë të informacioneve të uniformave blu.

Ndërsa policët e Komisariatit numër 3 kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Genc Jashari 25-vjeç i cili ishte larguar nga burgu në vitin 1997. Pas arratisjes së tij ai ishte shpallur person shumë i kërkuar nga uniformat blu. Në bazë të të dhënave të policisë ai është dhe autor i tre veprave të tjera penale grabitje me armë, ndër të cilat vjedhja e Fabrikës së Qumeshtit Ajka, dhe të automjetit të një shtetasi./tvklan.al






Të ngjashme