Policia e Tiranës ndalon Sali Berishën dhe shoqëruesit e tij – (29 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryetari i PD Sali Berisha është ndaluar sot në orët e para të mëngjesit nga policia në një postbllok. Lajmi konfirmohet nga policia e Tiranës, por edhe nga vetë selia e demokratëve. Rreth orë 1:30 të mëngjesit, sapo ka dalë nga selia e PD, makina e Berishës, por edhe dy makina të eskortës, janë ndaluar nga forcat speciale në postbllok, pranë sheshit “Skënderbej”.
Sipas policisë, ndalimi i Berishës dhe shoqëruesve të tij është bërë pasi ka pasur më parë të dhëna se në eskortën e Berishës, kishte dhe persona të kërkuar. Në momentin e ndalimit të gjithë personat që e shoqëronin, madje dhe vetë Berisha, kanë kundërshtuar ushtrimin e kontrollit. Në këto kushte policia i ka shoqëruar të gjithë përfshirë edhe Berishën në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Dy nga efektivët e forcave speciale të postbllokut kanë marrë në drejtim Benzin e Berishës, duke i shoqëruar në polici.
Vetë Berisha është marrë në proces verifikimi nga nëndrejtori i policisë shqiptare Niko Brahimaj dhe nga drejtues të policisë së Tiranës, Veli Myftari dhe Sokol Bizhga. Berisha për rreth 1 orë i është përgjigjur qetësisht të gjitha pyetjeve, madje në fund u është drejtuar krerëve të policisë, se ai i mbështet ata në punën e tyre. Pasi ka mbaruar procesi i pyetjeve, Berisha është lënë i lirë të largohet, ku më pas ka dhënë një konferencë shtypi në selinë e PD.
Po në drejtorinë e policisë janë mbajtur dhe më pas janë ndaluar shtetasit Edi Paloka zëdhënës i PD, e Sokol Mulosmani ish-komisari i policisë në Vlorë në vitin 1996, me akuzën thirrje publike për veprime të dhunshme, organizim dhe pjesëmarrje në mitingje të paligjshëm dhe vepra të kryer në bashkëpunim. Sot janë arrestuar dhe shtetasit Altin Ponari i akuzuar nga policia për veprime të dhunshme gjatë mitingjeve dhe Besnik Jaku, pasi ishte person në kërkim./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj