Policia e Vlorës aksion antitrafik, kapen klandestinët kurdë – (14 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Katër gomone të sekuestruara dhe rreth 50 klandestinë kurd të kapur është rezultati i një aksioni antitrafik i policisë së Vlorës. Dje dhe pardje, forca të ndërhyrjes së shpejtë kanë kryer një operacion në gjithë qarkun e Vlorës, me objekt luftën kundër trafikut klandestinë dhe të trafiqeve të tjera.
Në përfundim të aksionit nga shërbimet e policisë, në zonën e Himarës pranë fshatit Palas, u kapën 42 kurdë, të cilët prisnin të kalonin detin për në Itali. Të ardhur nga Greqia, kurdët kishin paguar nga 800 dollarë secili për të kaluar kufirin. Gjithashtu aksioni i policisë vlonjate, arriti të zbulojë dhe të sekuestrojë katër gomone, pronari i njërit prej të cilëve u arrestua.
Në 13 ditët e para të Majit, policia e Vlorës ka sekuestruar shtatë gomone, ndërkohë që nga fillimi i vitit numri i tyre arrin në 19. Me gjithë aksionet e vazhdueshme dhe rezultatet konkrete të policisë së Vlorës kundër trafiqeve, sërish mjaft skafe vazhdojnë trafikun./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj